Mustafa Kemal Atatürk ( Mustafa Qemal Ataturku )

Mustafa Qemali ose Mustafa Qemal Ataturku (turqisht: Mustafa Kemal Atatürk; 19 maj 1881 (datë konvencionale) – 10 nëntor 1938) ishte një oficer ushtarak turk, revolucionar, themelues i Republikës së Turqisë, dhe kryetari i parë i saj që nga viti 1923 deri në vdekje. Ideologjikisht një sekularist dhe nacionalist, politikat dhe teoritë e tija u bënë të njohura si Qemalizëm. Për shkak të arritjeve të tij ushtarake dhe politike, Ataturku konsiderohet si një nga udhëheqësit politikë më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.

Ataturku u shqua për rolin e tij në sigurimin e fitores së turqve osmanë në Betejën e Galipolit (1915) gjatë Luftës së Parë Botërore. Pas humbjes dhe shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ai udhëhoqi Lëvizjen Kombëtare Turke, e cila i rezistoi ndarjes së Turqisë kontinentale midis fuqive fitimtare aleate. Duke krijuar një qeveri të përkohshme në kryeqytetin e sotëm turk Ankara, ai mundi forcat e dërguara nga aleatët, duke dalë kështu fitimtar nga ajo që u quajt më vonë si Lufta Çlirimtare Turke. Më pas ai vazhdoi të shfuqizojë Perandorinë e rrënuar Osmane dhe shpalli themelimin e Republikës Turke në vend të saj.

Si president i Republikës së sapoformuar Turke, Ataturku nisi një program rigoroz të reformave politike, ekonomike dhe kulturore me qëllimin përfundimtar të ndërtimit të një shteti kombëtar modern, progresiv dhe laik. Ai e bëri arsimin fillor falas dhe të detyrueshëm, duke hapur mijëra shkolla të reja në të gjithë vendin. Ai prezantoi gjithashtu alfabetin turk me bazë latine, duke zëvendësuar alfabetin e vjetër turk osman. Gratë turke morën të drejta të barabarta civile dhe politike gjatë presidencës së Ataturkut. Në veçanti, grave u është dhënë e drejta e votës në zgjedhjet lokale me ligjin nr. 1580 më 3 prill 1930 dhe disa vite më vonë, në 1934, e drejta e plotë e votës universale. Më vonë në vitin 1934 Kuvendi i Madh Popullor i jep emrin Atatürk (babai i Turqisë) në shënjë falenderimi për atë që ka bërë për popullin turk.

Në vitin 1981, në njëqindvjetorin e lindjes së Ataturkut, kujtimi i tij u nderua nga Kombet e Bashkuara dhe UNESKO, të cilat e shpallën Vitin e Ataturkut në Botë dhe miratuan Rezolutën për Njëqindvjetorin e Ataturkut, duke e përshkruar atë si "udhëheqës i luftës së parë të dhënë kundër kolonializmi dhe imperializmi" dhe një "promovues i shquar i ndjenjës së mirëkuptimit midis popujve dhe paqes së qëndrueshme midis kombeve të botës dhe se ai punoi gjithë jetën e tij për zhvillimin e harmonisë dhe bashkëpunimit midis popujve pa dallim". Ataturku përkujtohet nga shumë memorialë dhe vende të emërtuara për nder të tij në Turqi dhe në mbarë botën.

Destinations